Vrasja-bahcallekPolicia e Shkodrës është në kërkim të autorëve që një natë më parë vranë me armë zjarri një 52-vjeçar dhe plagosën dy të tjerë në lagjen Bahçallëk të Shkodrës.

Ata janë identifikuar tashmë dhe për kapjen e tyre janë mobilizuar Forcat Renea dhe efektivë të policisë së Shkodrës. Mbrëmjen  e kaluar ata qëlluan me armë zjarri drejt tre personave që ndodheshin në një lokal në lagjen Bahçallëk, duke lënë të vdekur 52-vjeçarin Enver Barbullushi dhe duke plagosur djalin e tij Samet Barbullushi si dhe të afërmin e tyre Nezir Shega.

Nga hetimet paraprake rezulton se shënjestër e sulmit me armë ka qenë Nezir Shega. Policia ka në dorë edhe pamje nga kamerat e sigurisë së lokalit që tregojnë edhe dinamikën e ngjarjes. Autorët mësohet se kanë patur fillimisht një konflikt verbal me Nezir Shegën, ndërsa kanë qëlluar të parin Enver Barbullushin, i cili kishte ndërhyrë për të shuajtur debatin. Më pas ata kanë hapur zjarr me breshëri automatike edhe ndaj dy personave të tjerë që mbetën të plagosur.

Pas krimit autorët u larguan me një automjet, që u gjet i braktisur më vonë në Velipojë. Për të humbur gjurmët autorët i vunë zjarrin makinës dhe u larguan në drejtim të paditur.

Policia e Shkodrës dhe forcat Renea kanë ngritur postblloqe në të gjithë zonën dhe janë ende në kërkim të autorëve.

Ndërsa dy të plagosurit ndodhet në spitalin rajonal të Shkodrës ku po marrin ndihmën e duhur mjekësore.

TV KLAN