Autoritetet kanë arritur të zbardhin ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 47 – vjeçar.

Në një njoftim të sajin, policia thotë se ka identifikuar dhe arrestuar një prej autorëve të kësaj ngjarjeje. Ai është Gjovalin Voci (Samuel Feta), i cili u kap teksa po tentonte të largohej jashtë vendit nga pika kufirare e Morinës.

Ngjarja në fjalë ndodhi rreth orës 05:15 në fshatin Kalivaç. 47 – vjeçari udhëtonte i vetëm me furgonin e tij kur u qëllua disa herë me armë zjarri nga 2 persona, duke mbetur i plagosur në pjesën e këmbës.

Ai u dërgua në spital, ku dhe ndodhet aktualisht, jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet e deritanishme, sqaron policia, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta midis të plagosurit dhe të arrestuarit Voci.

Në vendngjarje, autoritetet gjetën 3 gëzhoja dhe furgonin e 47 – vjeçarit.

Aktualisht, vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarje, si për dhe identifikimin e arrestimin e personave të tjerë të përfshirë./tvklan.al