Ndoshta tingëllon e çuditshme që një tifozëri ta shfrytëzojë ndeshjen e kombëtares më së shumti për turizëm. Janë skocezët të cilët që prej tre ditësh po shëtisin nëpër Shqipëri.

-“Sot po bëjmë turizëm, por nesër pres një barazim, 0-0, ose 1-1. por gjithashtu kemi ardhur për bamirësi”

“Quhen Armata Tartane për shkak të fustanellës që mbajnë veshur dhe kanë ardhur në Shqipëri edhe për një qëllim human”.

“Jemi përfaqësues të shoqatës bamirëse të tifozëve të Skocisë dhe do ti japim 5000 Paund një shoqate shqiptare si ndihmë për arsimimin e fëmijëve romë”.

Ndryshe nga anglezët, tifozët e Skocisë edhe pse kanë ardhur për shkak të ndeshjes, qëllimi kryesor është turizmi.

-“Birra është e lirë, ushqimi është i mirë dhe njerëzit janë shumë miqësorë. Mendoj se Shqipëria do të fitojë sepse Skocia është në gjendje të keqe, por në fakt unë nuk shqetësohem  për futbollin”.

Nëse zakonisht Shqipëria është atraktive për turistët këta skocezë janë kthyer në atraksion për shqiptarët.

-“Luajta për shqiptarët, sepse janë treguar shumë të këndshëm dhe miqësorë me ne. Çdo gjë është e shkëlqyer.

“Vijmë nga mesi i Skocisë, por kemi ardhur jo për futbollin, por për tu argëtuar, të shpresojmë të shohim një ndeshje të bukur, dhe nëse jo, jemi kënaqur gjithsesi”.

Më shumë se 500 skocezë kanë ardhur në Shqipëri, dhe siç duket gjatë gjithë këtyre ditëve e kanë shfrytëzuar kohën e tyre më së shumti për të njohur vendin, sa i përket ndeshjes, sikurse thonë le të fitojë më i miri.

Tv Klan