Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka drojë për dëmtim të procesit të zbatimit të plotë të “Marrëveshjes së Prespës”. Për këtë arsye ai ka bërë thirrje që institucionet shtetërore e ligj-zbatuese të jenë të vëmendshme për të mos dëmtuar, ka thënë ai, imunitetin e procesit. Në intervistën e Javës për seksionin maqedonas të “Radios Evropa e Lirë”, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka thënë se arratisja e ish-kryeministrit Nikola Gruevski për të ka qenë e papritur dhe i përket këtij të fundit që të japë sqarime shtesë.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka tërhequr vëmendjen se koalicioni qeverisës ka harxhuar shumë energji për arritjen e “Marrëveshjes së Prespës” me Greqinë, që duhet t’i hapë rrugë integrimit euro-atlantik të Maqedonisë dhe, sipas tij, procesi i vënies së saj në jetë nuk duhet të ngecë.

Në këtë rrafsh, në intervistën dhënë “Radios Evropa e Lirë”, kreu i integristëve ka bërë thirrje që institucionet e sistemit, por edhe forcat politike, të mos bëjnë ndonjë veprim që do të kërcënonte, ka thënë ai, procesin e vënies në jetë të Marrëveshjes me Greqinë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka ritheksuar angazhimin e tij dhe të partisë që ai drejton që në zgjedhjet presidenciale të pranverës të vendoset për një President konsesual i cili do të bashkonte e jo përçante vendin. Sipas tij, nuk ka nevojë për organizim të zgjedhjeve të parakohshme.

Tv Klan