Katër shtetas shqiptarë u arratisën nga qelia e izolimit, pasi neutralizuan policët e shërbimit. Ngjarja ka ndodhur duke u gdhirë e hënë në komisariatin e Athinës, që njihet si Petrou Ralli. Mediat greke kanë mundur të sigurojnë emrat dhe fotografitë e dy prej tyre.

Ata janë Endrit Bacaj dhe Alesio Xhelo. Sipas burimeve të pakonfirmuara zyrtarisht, ata të katërt ishin sjellë nga burgu i Koridalosit, pas trazirave që ishin shënuar aty para disa ditësh. Ata vuanin dënime për grabitje dhe vrasje në tentativë.

Njeri prej tyre u shtir sikur ishte sëmurë dhe ra për tokë. Kur një polic hyri në qeli që të shihte çfarë ka ndodhur, ata e neutralizuan nën kërcënimin e një thike artizanale dhe e çarmatosën. Pastaj zbritën në hyrje të godinës, ku u përballën me një police që ishte roje dhe nën kërcënimin e armës e detyruan të hapte portën e daljes dhe u larguan me vrap. Policia kaloi menjëherë në alarm dhe pas një ore u bë i mundur arrestimi i njërit prej tyre, në afërsi të sheshit Omonia.

Mediat raportojnë dhe për një shkëmbim zjarri, pa viktima apo të plagosur. Policia vazhdon operacionin, e mbështetur dhe nga një helikopter, për gjetjen dhe arrestimin edhe të tre të tjerëve.

Tv Klan