Entuziazëm mes shkencëtarëve të NASA-s pas uljes me sukses të sondës “InSight” mbi sipërfaqen e Marsit. U deshën rreth 7 muaj udhëtim që anija hapësinore të mbërrijë në planetin e kuq, për të nisur studimet mbi përbërjen gjeologjike dhe aktivitetin tektonike ne planetin e kuq. Laboratori robotik dërgoi foton e parë nga sipërfaqja e marsit menjëherë pas uljes.

InSight është i pari mision që do të studiojë thellësinë e brendshme të Marsit. Në të kaluarën, ne kemi studiuar përbërjen kimike dhe gjeologjike të sipërfaqes. Ndërsa tani, do të shohim thellësinë për të kuptuar sa aktivë janë tërmetet në Mars. Do të masim edhe temperaturën e brendshme që vjen nga bërthama e planetit, duke gërmuar deri në 5 metra nën sipërfaqe.

Sonda është e pajisur edhe me sensorë që do të studiojnë edhe përbërësit e atmosferës së Marsit. “InSight” është e para sondë që dërgohet në këtë planet prej 2012-ës, kur nisi misionin e saj sonda tjetër “Curiosity”.

Projekti “InSight” ka nisur të zbatohet prej 2015-ës me një fond nga NASA që arrin në 830 milionë Dollarë. Deri më sot vetëm 40% e sondave të dërguara në Mars kanë arritur të kryejnë misionin e tyre pa u dëmtuar.

Tv Klan