Një 30-vjeçar me iniciale B.B. nga Gjirokastra është arrestuar nga policia në aeroportin e Rinasit, sapo mbërriti me linjën e fluturimit nga Belgjika. 30-vjeçari ishte person në kërkim për drogë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg në mungesë më 5 Qershor 2015.

Ndaj tij ka edhe një masë tjetër sigurie arrest në burg nga Gjykata e Lushnjes për të njëjtën vepër penale. Autoritetet shqiptare u njoftuan nga homologët në Belgjikë se 30-vjeçari ishte nisur prej andej me destinacion aeroportin e Rinasit.

I kërkuari, i cili udhëtonte me dokumente të falsifikuara, sapo zbriti nga aeroplani, aty e prisnin forcat policore të cilat e arrestuan në flagrancë. /tvklan.al