Fëmijëria e Valentinës përshkohet nga kujtimet e varfërisë dhe sakrificave të prindërve. Më vonë, me rritjen do të gjendej përpara një zgjedhjeje të bërë për të: martesës. Siç ajo tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, nuk e dëshironte por as nuk e kundërshtonte dot.
Nga kjo martesë, Valentina ka 3 fëmijë dhe ata kanë qenë motivi kryesor pse ajo duroi vështirësitë. Një ditë, mori vendimin që bashkë me ta, të largohej.
Valentina: Dy botë të ndryshme, dy kaaktere të ndyshme. Kur je një familje, kur je dy bashkëshortë duhet që ta pyesësh njëri-tjetrin, duhet që të marrësh mendimin e njëri-tjetrit pastaj mund të vendosësh. Kjo ka qenë një kontradiktë shumë e egër.
Ardit Gjebrea: Mendimi yt nuk ekzistonte.
Valentina: Jo.
Ardit Gjebrea: Sillej ashpër me ty?
Valentina: Po.
Ardit Gjebrea: Fëmijët e tu kanë qenë prezentë në skena të ndryshme apo jo?
Valentina: Po. Unë kam duruar sepse mendoja që një femër nuk mund të bënte gjithçka për fëmijët.
Ardit Gjebrea: Kishe frikë?
Valentina: Patjetër që kam pasur frikë. Duhej patjetër të qëndroja me bashkëshortin për të menduar për fëmijët e mi.
Ardit Gjebrea: Megjithatë, erdhi një moment që ti the “stop” dhe nuk durove.
Valentina: Kisha bërë një plan që unë tani kam një familje dhe gjithmonë fëmijët i kam parë si mrekullia, kryevepra e gjithë kësaj bote.
Ardit Gjebrea: Dhe ashtu janë.
Valentina: Thashë ti do të durosh, do të hash baltë, dhe me dhëmbë derisa fëmijët të rriten pak.
Ardit Gjebrea: Dhe pastaj?
Valentina: Dhe pastaj kam marrë një vendim tjetër, jam larguar nga Shqipëria sepse e shikoja shumë të pamundur të vazhdoja jetën në vendin tim.
Me tre fëmijët në duar, Valentina shkoi në Suedi. E vetme, pa dikë që ta priste, ajo diti të bënte veç diçka.
Ardit Gjebrea: Kureshtar jam, kur zbrite nga autobusi, çfarë bëre?
Valentina: Thjesht kam bërtitur dua ndihmë.
Ardit Gjebrea: Kush të ndihmoi?
Valentina: Aty ka ardhur policia, na ndihmoi, na ka gjetur banesën, kanë ardhur psikologët, psikoterapistët. Unë u integrova shumë shpejt, mësova gjuhën shumë shpejt.
Pas 3 vjetësh, shteti suedez e ktheu në Shqipëri bashkë me fëmijët. Kjo qe hera kur ajo u përpoq sërish për ta bërë martesën të funksiononte, derisa u dorëzua dhe u largua sërish në Suedi duke ia nisur nga e para.
Valentina: Kur jam kthyer, kisha mësuar pak më shumë. I kam thënë që unë jam kjo tani, ti duhet të më respektosh për këtë që jam, unë të reespektoj për këtë që je, por nëse një ditë ndodhin gjërat që kanë ndodhur përpara, unë thjesht hap derën dhe iki.
Ardit Gjebrea: Më shuaj një kureshtje, gjatë atyre 3 viteve ti komunikoje me bashkëshortin?
Valentina: Po.
Ardit Gjebrea: Fëmijët flisnin me të?
Valentina: Patjetër, asnjëherë s’i kam ndaluar.
Ardit Gjebrea: Atëherë do të thotë që ti gjete lumturinë dhe bashkëpunimin me të për të çuar familjen përpara apo ishte e pamundur?
Valentina: Jo, ishte e pamundur./tvklan.al