Përshtatën një karburant të vjetër për kultivim droge

3 persona janë vënë në pranga dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim të akuzuar për kultivim të kanabisit në godinën e këtij karburanti të vjetër anës autostradës Lushnje – Fier. Policia thotë se pas informacioneve të marra në terren ka zbuluar laboratorin në afërsi të kryqëzimit të njohur si “Pushimi i shoferit” në afërsi të fshatit Krutje.

Në brendësi të godinës ishte instaluar një laborator i mirëfilltë i kultivimit të bimës narkotike. Policia sekuestroi bimë kanabisi, llamba për ngrohje, tuba ajrimi dhe mjete të tjera që përdoreshin për rritjen e drogës.

Në pranga është vënë 40-vjeçari Mario Çela i cili u gjet në laboratorin e drogës ndërsa u shpall në kërkim Ervin Rista, 40 vjeç nga Tirana pronari i karburantit dhe 2 bashkëpunëtorët e tij Lirim Serdani, 54 vjeç dhe Igli Borova 27 vjeç me banim në Fier.

Për shpërdorim detyre u arrestuan edhe 2 punonjës të OSHEE, Mestan Zoto 64 vjeç dhe Vilsi Liçi 23 vjeç të cilët nuk kishin kontrolluar linjën me të cilën furnizohej laboratori i kanabisit që përdorte një kabinë elektrike aty pranë.

Tv Klan