Zbulimi amerikan paralajmëron se Irani po kërkon të vrasë Donald Trump-in. Për këtë, zyrtarët e zbulimit në Uashington kanë informuar shtabin elektoral të kandidatit republikan, përmes një letre ku nuk jepen detaje për natyrën e kërcënimit dhe nëse ai lidhet me përpjekje që janë bërë deri më tani apo me ndonjë rrezik gjatë ditëve dhe javëve në vijim.

Siç thuhet në deklaratën e shtabit elektoral të Donald Trump-it, qëllimi i këtyre përpjekjeve është të shkaktojnë kaos dhe të destabilizojnë Shtetet e Bashkuara, në kulmin e tensioneve të brendshme politike të fushatës për zgjedhjet presidenciale të 5 Nëntorit.

Edhe vetë Trump është shprehur më herët në rrjetin social X se Ka patur përpjekje të tilla nga Irani, të cilat nuk kanë funksionuar, por që ata do ta provojnë sërish. Teherani nuk ka reaguar deri më tani për paralajmërimin më të fundit të zbulimit amerikan, por më parë ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në punët e brendshme të Shteteve të Bashkuara.

78-vjeçari i shpëtoi me plagë të lehta një tentative nga një i ri për ta vrarë me sniper, gjatë një takimi elektoral në Pensilvani më 13 Korrik. Që prej asaj dite, masat e sigurisë për të janë shtuar.

Tv Klan