Mikroplastikat deri më sot janë gjetur tek ushqimet dhe tek kafshët. Por tashmë janë zbuluar dhe në organizmin e njeriut. Sipas analizave të kryera rezultatet janë të qarta dhe konstatohet se këto lëndë të dëmshme janë gjetur tek banorët e Italisë, Rusisë dhe Azisë. Ky është studimi i parë që konfirmon zyrtarisht se mikroplastikat po pushtojnë edhe trupin e njeriut, duke qenë se janë pjesë e pandashme e zinxhirit ushqimor.

Projekti pilot, i pari i këtij lloji, është kryer mbi një grup personash të vendeve të ndryshme. Është analizuar jashtëqitja dhe në të gjithë kampionët janë gjetur tipologji të ndryshme mikroplastikash, deri në 9 të tilla. Puna studimore është kryer në Universitetin e Vienës duke monitoruar banorë të Finlandës, Italisë, Japonisë, Holandës, Polonisë, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Austrisë.

Ekspertët thonë se mikroplastikat gjenden tashmë në të gjitha ambalazhet ushqimore dhe sigurisht kjo është shumë e rrezikshme për organizimin e njeriut, kryesisht aparatin gastrointestinal. Mjekët po vijojnë kërkimet në shkallë më të gjerë dhe gjithashtu për të kuptuar më mirë nëse këto lëndë hyjnë në qarkullimin e gjakut, duke përfunduar në mëlçi. Pasojat mund të ishin më të rënda thonë studiuesit, por ky është vetëm hapi i parë i një studimi të gjatë.

Klan Plus