Autoritetet italiane kanë sekuestruar një sasi prej 333 kilogramësh kokainë të pastër, që vinte nga Brazili. Në pranga përfunduan 4 persona, mes tyre edhe një shqiptar.

Droga mbërriti në portin e Spezia e fshehur mes pllakave të mermerit, të cilat transportoheshin me kontenier. Autoritetet policore e ndoqën ngarkesën deri në Massa Carrara.

Operacioni nisi pasi Guardia Di Finanza e Spezia-s kontrolloi kontenierin që kishte zbarkuar në portin e Spezias. Falë analizimit me skaner, oficerët dalluan disa anomali dhe sëbashku me doganierët hapën kontenierin.

Brenda tij u gjetën 300 pako me kokainë, sasi e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën prej 100 milionë eurosh.

Në mënyrë që të kapnin personat përgjegjës për këtë ngarkesë, oficerët e mbyllën sërish ngarkesën dhe e ndoqën deri në një magazinë në Massa Carrara. Përveç shqiptarit, të arrestuarit e tjerë janë një italian, një kroat dhe një braziliane. Identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura nga mediat fqinje./tvklan.al