Kjo pamje e fiksuar nga kamerat e sigurisë se hotelit ku ka qëndruar turku Faruk Fatih Ozer në Tiranë ka zbuluar njërin prej personave që e ka ndihmuar 27-vjecarin të arratiset. Personi me xhup me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë, është identifikuar nga policia si Altjon Canaj. Ky i fundit  pasi u shoqërua nga policia e shtetit është marrë në pyetje. Televizioni TRT Haber ka zbardhur dëshminë e të riut i cili ka deklaruar se e ka ndihmuar Ozerin bashkë me një person tjetër me emrin Edivaldo Haxhiu.

Kanë qenë këta persona që e kishin pritur 27-vjeçarin turk në aeroportin e Rinasit dhe më pas e kishin çuar në hotel. Canaj ka treguar se më pas është njohur me lajmet në media se Faruk Fatih Ozer që akuzohet për mashtrim, ka tentuar që të kontaktojë me Edivaldo Haxhiun, por nuk kanë folur prej disa ditësh. Sipas mediave turke, Edivaldo Haxhiu i cili është shpallur në kërkim është biznesmen në Shqipëri.

Në lidhje me këtë rast, në Shqipëri është arrestuar edhe një çift bashkëshortësh të cilët e kishin strehuar Ozerin pasi ai u largua nga hoteli. 27-vjeçari turk sipas mediave ka qëndruar te një shtëpi tek zona e Pazarit të Ri por në momentin që policia shkoi për ta arrestuar, ai nuk u gjet aty. Çifti i bashkëshortëve mësohet se ka komunikuar në telefon me Ozerin ndërsa shpesh kanë shkuar në Turqi. Shtypi turk shkruan se bosi i kriptomonedhave vijon të jetë në Shqipëri ndërsa strehohet nga njerëz të botës së krimit në vendin tonë. Ai kërkohet që prej 21 Prillit nga autoritetet turke për mashtrim me 2 miliard dollarë në bursën e kriptomonedhave THODEX, ku kishin investuar rreth 400 mijë persona.

Klan News