Cigarja shkrumbon 15 hektarë pyll në fshatin Lisaj. Në Pollozhan digjen 2 hektarë barishte e shkurre

Dy persona janë ndaluar nga policia, për zjarrvënie të qëllimshme në Elbasan dhe Dibër. Ata u identifikuan pasi ndezën zjarr në tokën e tyre dhe flakët u dolën jashtë kontrolli.

Në Dibër, në fshatin Pollozhan, 55-vjeçari Fari Elezi ndezi zjarr për djegien e barishteve, por si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke prej dy hektarësh me barishte dhe shkurre. Autori u shoqërua në polici dhe ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë.

Krahas zjarrit në Dibër, në qarkun e Elbasanit u dogjën edhe 15 hektarë sipërfaqe pylli në fshatin Lisaj dhe sipërfaqe të tjera të mbjella me pemë frutore. Kujtim Liçi, i cili është arrestuar nga policia hodhi një cigare të ndezur në tokën e tij dhe më pas flakët dolën jashtë kontrolli.

Liçi është personi i 24 që arrestohet nga policia për zjarrëvenie. Autorët e prangosur nga blutë janë në disa qytete të vendit. Vepra penale e shkatërrimit të pronës me zjarr është një krim që dënohet deri në 15 vite burg.

Klan News