Shqiptarët marrin zv/kryeministrin dhe 7 ministri

Një ditë pas marrëveshjes historike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut zbulohet edhe ndarja e ministrive në kabinetin e ri qeveritar për 4 vitet e ardhshme.

2 partitë shqiptare do të kenë zëvendëskryeministrin e parë dhe 7 ministri në qeverinë e Zoran Zaev. Pas mbledhjes së kryesisë së BDI-së u vendos që kjo forcë të përfaqësohet me Artan Grubin si zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik.

Kjo forcë do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme që do të drejtohet nga Bujar Osmani. Partisë së Ali Ahmetit i janë besuar edhe ministria e Financave, ministria e Ekonomisë ndërsa atë të Mjedisit do të drejtojë ministri aktual, Naser Nuredini.

BDI do të marrë edhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Kreu i kësaj force Ali Ahmeti tha se kjo do të jetë qeveria më e mirë për shqiptarët.

Partia tjetër shqiptare në koalicionin qeverisës, lëvizja Besa do të marrë ministrinë e Bujqësisë. Ndërkohë gjatë një takimi me partnerët e koalicionit “Mundemi” lideri socialdemokrat Zoran Zaev ka marrë përkrahje për marrëveshjen e arritur me BDI-në për qeverisjen katërvjeçare.

Mesditën e së enjtes do të zhvillohet seanca konstituive e parlamentit ku pritet të rizgjidhet Talat Xhaferi si Kryetar i Kuvendit.

Klan Macedonia