Mediat italiane kanë publikuar një mesazh të Davide Pecorellit, biznesmenit italian të zhdukur në vendin tonë, i cili bisedonte me një mikun e tij më datë 5 Dhjetor 2020.

Pecorelli dhe miku i tij komunikojnë në WhatsApp, ku nga biseda kuptohet se sipërmarrësi italian kishte ardhur në Shqipëri për të shitur një aparaturë lazeri për qendrat estetike me vlerë të konsiderueshme.

“Po po sot kthehem për Vlorë, pastaj deri të enjten do të jem në Tiranë për të mbyllur kontratat. Është e vërtetë që janë kontrata me vlerë 30, 40, 70 mijë për italianët, përpara se të të besojnë duhet kohë”, shkruhet në këtë mesazh.

Davide Pecorelli erdhi në Shqipëri më datë 3 Janar 2021. Të nesërmen ai udhëtoi drejt Pukës. Në datë 6 Janar, makina e tij që kishte marrë me qira në Rinas, u gjet duke u djegur në aksin Gjegjan-Reps. Brenda mjetit u gjetën sendet personale të tij dhe mbetje kockore, të cilat janë dërguar për ekspertizë dhe pritet përgjigjia e rezultateve të ADN nëse i përkasin 45-vjeçarit italian.

Pecorelli është i përfshirë në biznesin e kozmetikës dhe bashkëjeton me një grua shqiptare nga Vlora. Ai besohet se kishte ardhur së fundmi në Shqipëri për të bërë shitjen e kësaj aparature me vlerë 70 mijë Euro. Autoritetet italiane dhe shqiptare janë duke hetuar edhe në këtë pistë, megjithëse nuk përjashtohen as të tjerat. /tvklan.al