Zbulohet baza e falsifikimit të dokumenteve

Posta

Zbulohet baza e falsifikimit të dokumenteve

12:09 08/11/2019

Në pranga 3 persona në Tiranë

Një grup i strukturuar kriminal që merrej me falsifikimin e dokumenteve me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt parave, u shkatërrua nga autoritetet policore të Tiranës. Në pranga përfunduan 3 anëtarë të këtij grupi, të gjithë të dënuar më parë.

Të arrestuarit janë “Th. T., 61 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve. V. S., 63 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, i dënuar dy herë më parë për falsifikim dokumentesh. P. B., 65 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë.  

Këta persona kishin një ambient në qytetin e Durrësit, të cilin e përdornin si bazë për të kryer falsifikimet, ndërsa aktivitetin e zhvillonin në Tiranë.

Pasi gjenin klientë, ata kryenin falsifikimin e dokumenteve, me qëllim kalimin në mënyrë të paligjshme të kufirit.

Gjatë operacionit, Policia shkatërroi bazën ku kryheshin falsifikimet dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale:

“Një laborator i cili shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, një automjet tip Opel Corsa, një kompjuter, 7 stampa, vula, morseta të institucioneve të huaja të ndryshme, një printer skaner që shërbente për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, një pajisje speciale për plastifikimin dhe prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; një llambë speciale me rreze ultravioletë, hekur special për plastifikim, 4 pajisje speciale për hapjen dhe ndërhyrjen në dokumentet origjinale, 12 karta greke të falsifikuara, 6 leje drejtimi italiane, 1 leje qëndrimi italiane, 12 karta identiteti italiane, 3 karta shëndeti italiane, 1 leje drejtimi angleze, 3 fletë hyrje për institucione të ndryshme, 1057 karta të paplotësuara me çip dhe elementë sigurie për patentë dhe dokumente të ndryshme të paplotësuara, dëftesa shkollore, dokumente institucionesh, fotografi, vulë e thatë e një zyre noteriale dhe 1 250 euro”.

Policia thekson se këto dokumente prodhoheshin për persona që e kanë të ndaluar udhëtimin në vendet Schengen dhe për persona të ndryshëm të cilët do t’i përdornin këto dokumente për vendet e Bashkimit Europian, për të emigruar në mënyrë të paligjshme apo tranzit për të shkuar jashtë Bashkimit Europian.

Finalizimi i këtij operacioni, i koduar “Laboratori”, erdhi pas një pune intensive 6-mujore./tvklan.al


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi