Të paktën tre biznesmenë, 2 në qytetin bregdetar të Durrësit dhe 1 në Tiranë, i kanë paguar shuma të konsiderueshme parash, Emiljano Shullazit.

Kështu thuhet në kërkesën, që Prokuroria e Krimeve të Rënda do të paraqesë në gjykatë, në seancën për caktimin e masës së sigurisë për Shullazin dhe dy miqtë e tij, Gilmando Danin e Blerim Shullazin.

Aktiviteti i këtij grupi, ku bëjnë pjesë dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, thotë Prokuroria, ka qenë i shtrirë dhe në përvetësimin e pronës.

Sipas akuzës, këta persona po bëjnë përpjekje për të privatizuar një objekt të quajtur “Parku Sportiv” në Durrës, i cili ndodhet në lagjen numër 5.

Pronësia e ish – hotel “Vollgës” është gjithashtu një prej pjesëve kryesore të dosjes hetimore.

Një tjetër akuzë, që është ngritur për tre të ndaluarit, është ajo e trafikimit të lëndëve narkotike. Prokuroria thotë se ka të dhëna se, në bashkëpunim me të tjerë individë, brenda dhe jashtë vendit, kanë trafikuar drogë drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Në listën e ngjarjeve, për të cilat hetuesit kanë prova, është edhe kërcënimi i biznesmenit Jani Zaka, për dhënien e 1200 metrave parkim, në Tiranë.

Edhe kërcënimi i dy akademikëve, rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule dhe kandidatit për këtë post, Mynyr Koni, është pjesë e këtij hetimi.

Prokuroria thotë se kërcënimi ndaj tyre është bërë nga tre të ndaluarit.

Hetuesit kanë dyshime se ky grup vijon aktivitetin e tij kriminal dhe për këtë arsye kërkon arrest me burg për Emiljano Shullazin, Gilmando Danin dhe Blerim Shullazin

Xhevahir Zhabina/Tv Klan