Koronavirusi ka infektuar më shumë se 80 mijë persona në të gjithë botën, teksa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën globale. Specialistë dhe shkencëtarë në të gjithë botën janë duke u përpjekur për të krijuar një vaksinë për këtë virus të rrezikshëm.

Mjeku shqiptar në Francë, Erion Dobi, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, tha se besohet që Franca të nxjerrë vaksinën për parandalimin e koronavirusit në verën e vitit 2021.

Mjeku Erion Dobi: Sapo patëm dhe një informacion gjysmë zyrtar që mendohet që do të përdoren informacionet e vaksinës së SARS të vitit 2002 e cila u zhduk në vitin 2004, për arsye sepse ka në një analizë të fundit ka mbi 75% ngjashmëri gjenomike ndërmjet dy viruseve. Kështu që sipas drejtorit që është dhe shefi i Task-Forcës i Institutit në Paris që drejton gjithë këtë operacion, mendohet që vaksina mund të jetë disponibël ndoshta në verën e 2021 me gati 5.8 milionë Euro të dhëna nga shteti francez dhe mbi 10.5 milionë Euro të dhëna nga Komisioni Europian i Shëndetësisë për prodhimin e vaksinës.

Blendi Fevziu: Verën e 2021?

Mjeku Erion Dobi: E 2021! Të jemi realistë, pavarësisht se ka laboratorë që mendon se mund ta krijojë për 6 muaj, por nga ana profesionale për të qenë korrekt, profesionistët më të mirë mendojnë që para 2021 është e vështirë të kemi një vaksinë optimale, mund të themi afërsisht optimale siç është vaksina e gripit për parandalimin e këtij lloji virusi.  /tvklan.al