Presidenca ka bërë padi në Prokurori për zyrtarin e lartë të ambasadës

Presidenca ka bërë kallëzim në Prokurori ndaj zyrtarit të ambasadës italiane në Tiranë, për të cilin pretendon se ka shantazhuar Tedi Blushin, zëdhënësin e kreut të shtetit Ilir Meta.

Lajmi është bërë i ditur nga analisti Lorenc Vangjeli në emisionin “Opinion” në Tv Klan, i cili sqaroi se zyrtari që përmendi Presidenti Meta për shantazh ndaj zëdhënësit të tij, është i ambasadës së Italisë.

“Nuk bëhej fjalë për ambasadën amerikane, bëhet fjalë për ambasadën italiane. Është një zyrtar i lartë i ambasadës italiane, sapo është bërë padia në Prokurori. Bëhet fjalë për një telefonatë të bërë ndaj z.Blushi pak çaste pasi ai ka nxjerrë statusin e parë”, tha analisti Lorenc Vangjeli.

Më herët gjatë ditës së sotme, Presidenti Ilir Meta deklaroi se zëdhënësi i Presidencës Tedi Blushi u shantazhua nga një zyrtar i një ambasade për një postim në Facebook të cilit i kërkoi që ta fshinte brenda 30 minutash.

“Mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, u shpreh Ilir Meta për këtë ngjarje. /tvklan.al