Autori i fshehtë i një kanali të jashtëzakonshëm në rrjete sociale që kritikon Kremlinin, ka shfaqur identitetin e tij. Alexander Gorbunov, i njohur ndryeshe si StalinGulag, ka krijuar një kanal në aplikacionin e mesazheve Telegram që numëron 300 mijë përdorues. Në Twitter ka më shumë se 1 milionë fansa dhe postimet e tij prekin politikën dhe çështjet aktuale në Rusi. Tani ai ka vendosur që të flasë për të parandaluar hakmarrjet kundër familjes së tij, shkruan BBC.

Më herët gjatë kësaj jave, policia ruse kreu kontrolle në banesën e nënës së tij të moshuar. Në vitin 2017, kreu i opozitës ruse dhe kritiku i Presidentit Putin, Alexei Navalny, e konsideroi Gorbunov si “kolumnistin më të rëndësishëm politik në Rusi”. Në objektivat e fundit të Alexander Gorbunov për të denoncuar politikën ruse, përfshihen vizita e liderit të Koresë së Veriut në Rusi, planet e qeverisë ruse për të futur teknologjinë 5G, zgjedhjet presidenciale të mbajtura në Ukrainë dhe propozimet e Rusisë për të ndaluar importin e proshutës spanjolle.

Njeriu që është kritiku më i madh në rrjetet sociale i Kremlinit, ka një histori të dhimbshme për të treguar. Ai ka lindur në Kaukazin e Veriut në vitin 1992 dhe u diagnostikua me një sëmundje në shtyllën kurrizore që i ka prekur muskujt, duke e bërë që të përdorë karrige me rrota. Ai e filloi biznesin për herë të parë kur ishte 13 vjeç, duke shitur në internet produkte dietike. Aftësitë kompjuterike bënë që ai të shndërrohej në një tregtar të suksesshëm financiar, të specializuar në monedhën virtuale. Tani ai jeton në Moskë së bashku me gruan e tij.

Në vitin 2013 ai krijoi “StalinGulag”, një llogari anonime në Twitter ku kritikonte politikat e qeverisë ruse. Në atë kohë ai jetonte në qytetin Makhachkala dhe shumicën e kohës e kalonte në shtëpi.

“Dëshiroja vetëm të shkruaja. Kompjuteri dhe interneti më mundësonin që të ndiqja çdo gjë që ndodhte në botë. Gjithmonë kam qenë i interesuar rreth politikës”

, thotë ai.

Përse emri StalinGulag? Sipas tij, është një mënyrë për të ironizuar situatën në Rusinë e sotme dhe epokës së Stalinit. Deri në vitin 2016 ai kishte më shumë se 400 mijë ndjekës dhe vendosi të krijonte një kanal specifik në aplikacionin Telegram.

Telegram i lejon përdoruesit që të krijojnë grupe anonime dhe të dërgojnë njoftime tek ndjekësit. Kanalet të tilla komunikimi të Telegram janë bërë mjaft popullore në Rusi dhe Iran, ku liria e fjalës është e kufizuar. Qeveria ruse tentoi të mbyllte këtë aplikacion vitin e kaluar, për shkak të anonimatit dhe sigurisë së lartë që ka në mospërgjimin e bisedave. Por, pa sukses.

Për vite të tëra, identiteti i vërtetë i StalinGulag ishte mbajtur sekret, deri një javë më parë kur policia shkoi në banesën e nënës së tij. Hetuesit thanë se dikush kishte përdorur telefonin e Alexander Gorbunov për të bërë një kërcënim fals për bombë. Të afërm të tij janë kontaktuar gjithashtu nga policia. Më në fund ai vendosi të fliste, me shpresën se tani që njihet zyrtarisht, autoritetet ruse do të lënë të qetë familjarët dhe të afërmit e tij. Kjo histori ka shkaktuar shumë reagim në rrjetet sociale në Rusi, ku shumë njerëz kanë dalë në mbrojtje të Gorbunov.

/tvklan.al