Zbulohet identiteti i të dyshuarit të dytë për helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. BBC, që citon rrjetin investigativ britanik Bellingcat, raporton se personi i dytë quhet Aleksandër Mishkin. Ai është një mjek i forcave ruse të inteligjencës ushtarake, GRU. Agjencia investigative britanike arriti në gjurmët e mjekut ushtarak rus përmes dëshmive të njerëzve që e njohin atë dhe publikoi këtë kopje të fotos së tij të pasaportës.

Së bashku me rusin tjetër, ushtarakun e dekoruar Anatoli Çepiga, edhe ky i maskuar pas një identiteti të rremë, mjeku udhëtoi drejt Britanisë së Madhe në muajin mars për të ekzekutuar me lëndë nervore ish-spiunin rus dhe të bijën.

Pak javë më parë, dy ushtarakët rusë rrëfyen në një intervistë ekskluzive për RT, se ndodheshin në Salisbëri për turizëm. Aleksandër Mishkin dhe Anatoli Çepiga pranuan përpara kanalit shtetëror rus se quheshin Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov. Edhe Presidenti Vladimir Putin tha për mediat se ata janë civilë të cilët vizituan Britaninë për turizëm.

Sergei dhe Julia u helmuan me lëndë nervore Noviçok më 4 mars në Salisbëri. Britania e Madhe akuzon zyrtarisht Rusinë për ngjarjen, por Moska i mohon akuzat dhe akuzon për histeri anti-ruse.

Tv Klan