Gjendet në Antarktidë kanioni më i thellë i Tokës. Arrin në 3500 m nën nivelin e detit e shtrihet nën akullnajën Denman, në pjesën lindore të kontinentit të bardhë.

Zbulimi është bërë pas ridimensionimit të llogaritjeve nëpërmjet radarëve dhe të dhënat e lëvizjes së akujve. Hartat e deritanishme parashikonin një kanion shumë më pak të thellë, por kërkimi i fundit arrin në konkluzionin se janë 3500 metra thellësi. Dhe madje projekti ka zbuluar edhe prezencën e shumë kreshtave shkëmbore, shpellave dhe majave.

Prezenca e tyre, sipas ekspertëve, mund të ndikojë në përshpejtimin, ngadalësimin apo edhe ndalimin e tërheqjes së akullnajave.

Shkencëtarët për të arritur në këtë konkluzion kanë përdorur vrojtimet dhe imazhet radar duke nisur që nga viti 1967, të dhëna të mbledhura nga 19 institute të ndryshme kërkimi nga gjithë bota, përfshirë edhe të NASA-s.

Saktësimi i botës nën akullnajat e Antarktidës ndihmon në identifikimin edhe të atyre zonave të kontinentit të bardhë, që mund të jenë më vulnerabël ndaj procesit të ngrohjes klimatike, të cilat do të jenë më të mbrojtura.

Klan Plus