Mediat italiane kanë zbardhur identitetin e 27-vjeçarit shqiptar që u gjet i vrarë brenda makinës së tij.

Ai është Serxhio Veizi, shkruan ‘leccenews24’. Shqiptari u gjet i vdekur brenda automjetit të tij tip “Volkswagen Polo” në aksin rrugor Casarano-Ugento në Itali.

Një plagë me armë i ka shkaktuar atij vdekje. Ekspertët thanë se viktima ka një plumb në kokë. 27-vjeçari u gjet i shtrirë në sediljen e shoferit i mbuluar me gjak. Pranë trupit të pajetë u gjet edhe një pistoletë. Paraprakisht dyshohet për vetëvrasje, megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë as pistën e vrasjes.

Nëse do të ishte kjo, atëherë përse autori i supozuar do ta linte armën brenda automjetit? Kjo është pyetja që ngre grupi hetimor. Sipas raportimeve të mediave italiane, Serxhio Veizi mbante veshur bluzën e kompanisë së një firme ndërtimi, që besohet se ishte vendi i tij i punës.

Vdekja e 27-vjeçarit me banim në Bari konsiderohet ende misterioze për shkak të shumë pikave të paqarta. Rrethanat janë misterioze, po kështu edhe motivet që ka pasur Serxhio për të kryer aktin ekstrem nëse pranojmë pistën e vetëvrasjes. /tvklan.al