Një grua është arrestuar në Queensland të Australisë, pas një hetimi që filloi për gjilpërat që gjendeshin në luleshtrydhe. Policia australiane tha se gruaja 50-vjeçare u arrestua pas një hetimi të gjerë dhe kompleks. Ajo do të përballet me akuza ende të paspecifikuara.

Një hetim në disa vende të botës nisi nga autoritetet pasi qytetarët ankoheshin se zbulonin gjilpëra në kutitë e luleshtrydheve. Rasti ndodhi për herë të parë në Australi, kur një burrë shkoi në spital me dhimbje të forta stomaku. Zbulimi i gjilpërave në luleshtrydhe u pasua me mbi 100 ankesa të tjera në disa vende. Megjithëse shumica prej tyre dyshohet të kenë qenë edhe false pasi denoncoheshin vetëm në rrjetet sociale. Pas frikës së përhapur në Australi, fermerët hodhën poshtë shumë prodhime të luleshtrydheve, kurse supermarketet i hoqën nga shitjet.

Qeveria e Australisë u zotua për të zbuluar personin që përhapte panik tek qytetarët, duke futur gjilpëra në kutitë e luleshtrydheve dhe rriti dënimin me burg për veprat penale që lidhen me sigurinë ushqimore, duke e çuar në 15 vite burgim. Në Queensland, ku industria e luleshtrydheve qarkullon 160 milionë Dollarë në vit, qeveria australiane premtoi rimbursim 1 milionë Dollarë për të mbështetur fermerët. Kurse u vendos edhe një shpërblim 100 mijë Dollarë për çdo informacion të saktë që çonte në zbulimin e përgjegjësit të këtyre veprimeve. Gruaja e arrestuar, identiteti i të cilës nuk është bërë i ditur, do të dalë para gjykatës ditën e hënë.

/tvklan.al