Gjashtë persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të një operacioni të koduar “Laboratori”, të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit.

Të arrestuarit janë L. Sh. 56 vjeç, A. H. 64 vjeç, M. H. 56 vjeç, V. B. 57 vjeçe, E. H. 29 vjeç, banues në Tiranë dhe H. K. 63 vjeç, banues në Lezhë.

Ata u vunë në pranga pas hetimeve që zgjatën 1 vit. Disa kohë më parë, teksa hetimet ishin në vijim, janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë; A. T., E. S., V. S., E. R., P. B. dhe Th. T.

Sipas policisë, ky grup personash falsifikonte dokumente të ndryshme për qytetarë që kërkonin të emigronin në vendet e BE-së. Grupi i falsifikatorëve ndihmonte “klientët” për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, dhe nëpërmjet dokumenteve false, bënte të mundur që këta qytetarë të qëndronin si rezidentë në vendet e BE-së apo dhe të kalonin transit në Angli.

Një laborator është zbuluar nga blutë e Tiranës, ku bëhej falsifikimi i dokumenteve. Ky laborator ishte ngritur në banesën e dytë të njërit prej personave të arrestuar me iniciale L.Sh. Hetuesit kanë sekuestruar prova të vlefshme hetimore, po kështu edhe 11 celularë dhe 1 makinë. Grupi i të arrestuarve akuzohen për falsifikim të letërnjoftimeve dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. /tvklan.al