“Mami, ajo që qëndron kur gjithë të tjerët ikin”

Redona Demolli është 24 vjeç dhe prej 3 vitesh e gjysmë vuan dënimin në burgun e grave në Tiranë. Për emisionin “Historia ime” në Tv Klan, ajo ka rrëfyer se është kapur nga policia në flagrancë për trafikim të lëndëve narkotike. Redonës i ka mbetur dhe një vit e gjysmë dënim, por e pranon se pavarësisht vështirësive, burgu e ka ndryshuar atë. Dikur e ftohtë në marrëdhënien me familjen e saj, ndërsa sot ata janë mbështetja dhe forca e saj më e madhe.

Redona ka një bllok, ku ajo shkruan gjërat që i ndodhin brenda burgut. Midis shkrimeve, ajo veçon një letër që e ka shkruar për nënën e saj, por që asnjëherë nuk ka pasur guxim t’ia dërgojë.

 “Nuk kam pasur guximin t’ia dërgoj sepse nuk jam tip që më pëlqen të shpreh dashurinë apo të them një fjalë të mirë. Më shumë njerëzit më mbajnë për tip të ftohtë, që nuk them gjëra të bukura. Më ka ngelur thjesht ndjenjat e mia të shkruara në letër”.

Letra e Redonës për nënën e saj:

Unë kam qenë përkohësisht e verbër, shpirti im ka qenë një rebelim. Mendoja se dija gjithçka dhe ti nuk mund të më mësoje asgjë. E di ma, unë nuk të kam folur kurrë për trishtimin, edhe pse kam kaluar shumë kohë të trishtuara. Ama tani më është trishtuar shpirti. Më parë kam thënë që sa herë që mbështetesha tek ty, ti më hidhje poshtë, më rrëzoje. Nuk e di si e kam thënë këtë idiotësi, kur ti je njeriu i vetëm që nuk lodhesh nga unë, kur tani e di që ti je njeriu i vetëm që do ja shoh gjithmonë fytyrën, i vetmi person që nuk do ma tregojë kurrë kurrizin. Se kështu qenka të jesh mama. Kjo është mami, ajo që qëndron kur gjithë të tjerët ikin”.

Redona tani e ka të qartë se çfarë do bëjë pasi të dalë nga burgu dhe të rifillojë sërish jetën.

Tani qëllimi i jetës sime është t’ju bëj juve të lumtur, ty edhe babin. Dua të të  premtoj që kur unë ti kthehem jetës time, do të jetë jeta që ju doni për mua. Do bëj të pamundurën që të bëj më pak gabime dhe t’ju jap më shumë gëzime. Dhe diçka, faleminderit, veçanërisht që ekziston o ma”. /tvklan.al