Babis Anagnostopulos ka kaluar natën e parë në qelinë e burgut të Koridhalos, një ditë pasi gjykata i komunikoi atij masën e arrestit në burg.

Piloti grek 32-vjeçar do të qëndrojë në burgun e Koridhalos, një institucion i njohur i vuajtjes së dënimit në Greqi, ku në mjaft raste ka patur ngjarje të rënda kriminale dhe vuajnë dënimin person me dënime të larta.

Por për shkak se i druhen sigurisë së tij fizike, Babis nuk u vendos në qelitë e zakonshme të këtij burgu. Ai po qëndron në sektorin që konsiderohet si VIP, për shkak se është i veçuar nga sektorët e tjerë, dhe është i kontrolluar dhe ka siguri të lartë.

Babis u dërgua në qelinë e tij në burgun e Koridhalos mbrëmë në orën 21:30, dhe sipas shtypit grek, nuk kërkoi asnjë gjë. Në qeli do të qëndrojë me një polic të burgjesh të dënuar për trafik droge.

Para se të dërgohej në burgun e Koridhalos, Babis Anagnostopulos iu nënshtrua testit anti-Covid dhe rezultoi negativ. Sot ai do të ketë edhe një takim me drejtorin e burgut. Ndërsa më pas do të vijojë programin si gjithë të tjerët.

Vlen të theksohet se gjatë ajrimit në oborr do të jetë së bashku me të burgosurit që qëndrojnë në sektorin VIP të Koridhalos dhe nuk do të kenë kontakte me të burgosurit e tjerë. /tvklan.al