Shkencëtarët amerikanë: Molnupiraviri bllokon virusin brenda 24 orëve!

Një tjetër ilaç antiviral që përdoret për gripin, duket se arrin të bllokojë plotësisht transmetimin e Sars Cov-2.

Bëhet fjalë për Molnupiravir, i cili në kafshët e laboratorit arrin të bllokojë brenda 24 orëve virusin.

Është e thjeshtë të merret në mënyrë orale dhe tashmë është në fazë të avancuar të ekperimentimit klinik kundër Covid-19.

Sipas kërkuesve, nëse efikasiteti i tij do të konfirmohej edhe tek njeriu, mund të bëhet instrumenti kryesor për frenimin e sëmundjes, duke ulur edhe kohën e izolimit të pacientëve dhe duke vënë nën kontroll menjëherë edhe infektimin.

Studimi mban firmën e Georgia State University në SHBA dhe është publikuar në revistën shkencore Nature Microbiology.

Në studim thuhet se ilaçi me siglën MK-4482/EIDD-2801, është një kandidat premtues i jashtëzakonshëm për vënien nën kontroll të koronavirusit.

Tek kafshët e testuara është vënë re se në momentin që liheshin në të njëjtin kafaz kafshët e infektuara me kafshë të shëndetshme, nëse të parat trajtoheshin me Molnupiravir, infeksioni nuk transmetohej tek asnjë nga kafshët e shëndetshme.

Asnjë nga to, pavarësisht se në bashkëjetesë të ngushtë brenda të njëjtit kafaz, nuk u prek nga koronavirusi. Nëse rezultati do të verifikohej edhe tek njeriu, pacientët e trajtuar me të brenda 24-orëve nga nisja e terapisë, nuk do të përbënin asnjë rrezik infektimi për të tjerët.

Ndërkohë sot në botë janë blerë apo porositur tashmë 10 miliardë doza, por me një disproporcion të madh. Vendet e pasura kanë marrë shumë më tepër doza sesa numri i popullsisë, duke lënë pas edhe vendet e varfëra. Në krye klasifikohen SHBA me 2.6 miliardë doza, BE me 2 miliardë, dhe India me 1.6 miliardë.

Klan Plus