Zbulohet identiteti i mumies egjiptiane të mbuluar me tatuazhe. Ka qenë një magjistricë që ka jetuar rreth viteve 1300-1070 para Krishtit dhe u nda nga jeta rreth të 30-ve. Konfirmimi i mumies së gjetur dy vjet më parë në Luxor, mbërrin nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikitetit Egjiptian, Mustafa Al Waziri.

Sipas ekspertëve, kjo është hera e parë që gjenden tatuazhe komplekse me spektër religjioz nga Egjipti i Lashtë. Kërkuesit e Universitetit të Standford prej dy vjetësh kanë studiuar mumien, e cila në trupin e saj kishte rreth 30 tatuazhe me sytë e Horus, që mbronin nga e keqja, lule dhe majmunë të ulur, simbole magjike kundër sëmundjeve.

Sipas kreut të studimit Anne Austin, ngado që të kthesh këtë mumie sheh sy hyjnorë që të vështrojnë. Sipas saj, deri më sot mendohej se në Egjiptin e lashtë figura femërore nuk mund të kishte një rol domethënës fetar në atë shoqëri. Por kësaj here Këshilli Suprem i Antikitetit i ka dhënë fund dyshimeve, duke e njohur zyrtarisht që kjo mumie i përkiste një gruaje që ishte figurë religjioze e civilizimit të lashtë në veri të Afrikës.

Klan Plus