Droga e fshehur në konteinerin me banane

Prej dy ditësh konteineri me banane që kishte mbërritur nga Ekuadori për në Portin e Durrësit mbahej nën vëzhgim nga policia. Skaneri kishte zbuluar se në pjesën e poshtme metalike ishin kryer disa modifikime tipike të fshehjes së drogës. Policia priti deri këtë të martë.

Në mesditë, menaxheri i firmës me qendër në Tiranë ku do të mbërrinte konteineri, një 34-vjeçar me inicialet B. G. është paraqitur në port dhe ky ishte momenti kur policët hynë në veprim duke e vënë atë në pranga.

Pas arrestimit të pritësit të mallit, nga konteineri u nxorr kokaina. Policia bëri të ditur se gjithsej janë sekuestruar 11 kilogramë e 675 gramë kokainë e ndarë në 14 pako.

Përveç menaxherit, policia njoftoi se ka shpallur në kërkim edhe administratorin e firmës, shtetasin 50-vjeçar me inicialet E.D., ndërsa po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Kokaina e kapur në Portin e Durrësit është e të njëjtës linjë me të cilën kanë mbërritur më herët edhe ngarkesa të tjera. Afërsisht një muaj më parë, në konteineret me banane në Durrës u kapën mbi 320 kilogramë kokainë e pastër që do të kalonte në vendin tonë drejt Napolit.

Në fillim të muajit Prill, në Portin e Durrësit u kapën rreth 140 kilogramë kokainë, sërish e fshehur në një konteiner me banane nga Ekuadori. Rekordi i sasisë së kokainës që është kapur ndonjëherë në Durrës është ajo e Arbër Çekajt, që shkoi mbi 600 kilogramë kokainë që vinte nga Kolumbia.

Tv Klan