Në këtë magazinë në periferi të Rrëshenit, policia sekuestroi pasditen e kësaj të mëkure një sasi të madhe kanabis sativa, që arrin në disa ton. Në prangat e bluve kanë rënë 15 persona, ndër ta edhe pronari i magazinës, Kastriot Reçi.

Lënda narkotike është zbuluar pranë zonës së njohur si ish – pularia. Në aksion kanë marrë pjesë rreth 100 forca policie, ku u përfshinë efektivë të komisariateve të Lezhës, Mirditës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë së Tiranës dhe Lezhës.

Nga burime në vendin e ngjarjes mësohet se ambienti ishte i përshtatur për përpunimin e lëndës narkotike nga tharja e saj deri në paketimin, për ta bërë të gatshme për ta tregtuar.

Magazina shërbente për grumbullimin e hashashit të zonës dhe blutë po punojnë edhe për identifikimin e të tjerë personave, të cilët janë të implikuar në këtë çështje.

Magazina dhe personat e shoqëruar mbaheshin nën survejimin e policisë prej tre ditësh. Ndërhyrja u bë pasditen e së mërkurës dhe pas saj, oficerët e policisë kanë vijuar me mbledhjen e provave dhe peshimin e lëndës narkotike.

Personat e prangosur janë dërguar në Drejtorinë e Policisë Lezhë, ku do të merren në pyetje për të sqaruar pozicionin të cilin kanë patur në kultivimin e sasisë së madhe të drogës.

Tv Klan