Mund të jenë pjesë e degëzimit jugor të rrugës Egnatia

Gërmimet rastësore nga banorët e një lagjeje në Lushnje kanë nxjerrë në dritë disa rrënoja arkeologjike.

Sipas arkeologëve bëhet fjalë për një termë e cila i përket periudhës Romake.

“Ne besojmë se mund të jetë një termë e periudhës romake e ndërtuar në shekullin e I mbas Krishtit. Jemi në pritje që të miratohet gërmimi dhe pse jo të shpallet monument pasi zona është mjaft piktoreske e do ishte diçka plus qoftë për tu vizituar për natyrën qoftë për të parë këtë objekt.

Një zbulim i ngjashëm në fshatin Rrasë të Elbasanit, i bën arkeologët të besojnë se ky mund të jetë i famshmi, degëzim jugor i rrugës Egnatia.

“Befasuese është dhe një zbulim në Rrasë të Elbasanit. Me siguri kanë ndjekur formën e luginës duke shkuar anës lunjës që është edhe përroi kryesor. Nëse këto janë në një distancë diku 15 km dhe në jug kemi edhe kalanë e San Karbunarës ndoshta mund të ketë pas edhe një rrugë gjatë kësaj periudhe që fillonte nga zona e Peqinit duke kaluar në rrasë e duke arritur në urën e Kuçit, ku është edhe degëzimi i rrugës Egnatia”.

Pas njoftimit të institucioneve shtetërore pritet të bëhet vlerësimi i zbulimit dhe më pas të nisin gërmimet që nga banorët shihet si një formë për zhvillimin turistik të kësaj zone.

Mendohet që kjo termë t’i shtohet hartës turistike të Lushnjes krahas 8 monumenteve të tjera kulturore, përfshirë Manastirin e Ardenicës, disa kisha dhe dy ura të shekullit të 12 dhe 18 pas Krishtit.

Tv Klan