Rilindasi ishte vendosur në një varrezë masive

Është zbuluar 127 vite pas vdekjes varri i Gjerasim Qiriazit, një prej emrave të njohur të Rilindjes Shqiptare, i cili veprimtarinë e tij intelektuale e vuri më së shumti në shërbim të interesave patriotike dhe zhvillimit të kulturës dhe arsimimit në gjuhën shqipe.

I njohur si themeluesi i shkollës së parë të vashave në Korçë, eshtrat e Gjerasimit, vëllait të motrave të shquara Qiriazi, preheshin të lëna në harresë në një varezë protestante në Strumicë, në qytetin jugor të Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të edicionit të dytë të manifestimit kulturoro–shkencor “Ditët e Alfabetit”, me rastin e 112-vjetorit të Kongresit të Manastirit dhe me organizimin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore në Maqedoninë e Veriut u bënë homazhe në nder të figurës dhe veprimtarisë së tij, ndërsa u vlerësua kontributi që ai dha për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe në arsimimin e qindra fëmijëve në vitet e vështira të pushtetimit otoman.

Ai ishte një bashkëpunëtor i emrave të tjerë të Rilindjes Shqiptare si Abdyl, Naim, e Sami Frashërit, Mihal Gramenos e Kristo Dakos.

Ai shkroi shumë vjersha dhe këngë, si dhe bëri gati librin “Kristomaci” i cili u botua pas vdekjes. Gjerasim Qiriazi njihet gjithashtu edhe si predikues dhe themelues i Kishës Protestante në Shqipëri.

Tv Klan