Cristiano Ronaldo thuhet se është pronari i ri i Bugatti La Voiture Noire, një prej makinave më të shtrenjta të prodhuara ndonjëherë më parë. Sipas raportimeve, Ronaldo ka shpenzuar plot 11 milion Euro për Bugattin unike, e cila për herë të parë u prezantua në Geneva Motor Show 2019.

Kompania franceze e makinave luksoze ndërtoi vetëm një prototip të kësaj super makine me rastin e 110 vjetorit të themelimit të saj. Makina është një interpretim modern i legjendares Bugatti Type 47 SC Atlantic, të cilat ishin 4 dhe u ndërtuan mes 1936 dhe 1938.

Vetë Bugatti konfirmoi se La Voiture Noire ka tashmë një pronar, por refuzoi që ta bëjë zyrtarisht publik emrin e tij. Ishte revista spanjolle Marca që raportoi se pronari i saj është futbollisti Cristiano Ronaldo.

Ky i fundit ka një “ushtri” makinash luksoze, përfshirë një Mercedes C Class Sport Coupe, një Rolls-Royce Phantom, një Ujn Ferrari 599 GTO, një Lamborghini Aventador LP700-4, një Aston Martin DB9, një McLaren MP4 12C, si dhe një Bentley Continental GTC Speed.

/tvklan.al