Zbulohet propozimi, ERE merr nesër vendimin

Enti Rregullator i Energjisë do të vendosë të premten çmimin e ri të energjisë për konsumatorët familjarë që konsumojnë mbi 800 kilovat/orë energji elektrike, mbi dy propozime te bera nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal.

KESH ka kërkuar që çmimi me të cilin ia shet energjinë FSHU-së të rritet nga 2.6 në 34.3 lekë për kilovat/orë, për konsumin mbi 800 kilovat/orë.

Por në kërkesën e siguruar nga Tv Klan, FSHU ka kërkuar të merren në konsideratë edhe shpenzimet e saj, të cilat arrijnë në 8.65 lekë për kilovat/orë.

Në total, çmimi i propozuar është 42.95 lekë.

Kërkesa do të shqyrtohet të premten nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili do të vendosë përfundimisht se sa do të jetë energjia që konsumojnë familjarët mbi 800 kilovat/orë.

Sipas Furnizuesit të Shërbimit Universal, ky ndryshim në rritjen e çmimit të blerjes së energjisë elektrike për sasinë e konsumuar nga klientët familjarë do të rrisë shpenzimet e blerjes të energjisë për periudhën Tetor -Dhjetor 2022 me rreth 1.8 miliardë lekë.

Sipas përllogaritjeve në muajin Tetor preken mbi 49 mije familje, ndërsa në dy muajt tjerët ky numër do të pësojë rritje në mbi 71 mijë abonentë familjarë.

Më 8 Shtator Zv/Kryeministrja Belinda Balluku në prezantimin e paketës antikrizë paralajmëroi se çmimi i energjisë mund të arrinte në 42 lekë/kWh për të gjithë ato familje që shpenzojnë mbi 800 kilovat/orë.

Tv Klan