Vdekja e 23-vjeçarit Reldi Guga mesditën e 11 Prillit në Tiranë, nuk bëri shumë bujë në media për shkak se nuk pati asnjë njofim zyrtar nga policia. I riu u përplas nga një mjet i tonazhit të rëndë që po dilte nga një kantier ndërtimi.

Por, emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka rritur të sigurojë komunikatën e brendshme të Policisë së Shtetit, se si e ka klasifikuar vdekjen e studentit 23-vjeçar.

“Në orën 11:00 të datës 11 Prill, Reldi Vladimir Guga i datëlindjes 25 Shkurt 1997, në rrugën ‘Isuf Beshiri’ tek market ‘Mira Topi’ pasi është furnizuar me ushqime duke mbajtur biçikletën për dore, është rrëzuar poshtë gomave të pjesës së bylykut të gomave të kamionit tip Iveco me targë AA 730 TG me drejtues shtetasin Muhamet  Canaj i datëlindjes 26 Shtator 1951. Reldi është dërguar në spital dhe më pas ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Babai i Reldit, z.Vladimir Guga, në një intervistë për emisionin “Uniko” thotë se nuk i beson variantit të policisë.

Vladimir Guga: Nuk është se kam ndonjë besim. Dhe në polici i thashë për atë deklaratë që dashë dua një kopje, sepse nuk kam besim. Më ka humbur besimi tek të gjithë. Firmosa dhe ma dha.

Spartak Koka: Mund të ketë ndodhur që djali juaj të jetë rrëzuar me biçikletë?

Vladimir Guga: Jo, këtë version nuk e besoj. Çdo version mund ta besoj, por që djali siç ma thanë që djali ka tentuar t’i hipë biçikletës dhe është rrëzuar, këtë nuk e besoj.

Spartak Koka: Ndërsa këtu thuhet duke e mbajtur biçikletën për dore është rrëzuar.

Vladimir Guga: Versioni biçikletën duke e mbajtur për dore për djalin ma ka dhënë ai polici i rrugores.  /klanplus