Zbulohet roli i policit Ergys Lohja që u pezullua nga detyra pas goditjes së grupit kriminal të fajdeve në Shkodër, ku u arrestuan 12 persona. Duke qenë inspektor i policisë zonale, Ergys Lohja kishte dijeni për veprimtarinë kriminale, atë të dhënies së parave me fajde.

Jo vetëm që nuk kishte vepruar apo të vendoste në dijeni kolegët për këtë aktivitet të paligjshëm, por ai negocionte madje edhe interesat e fajdeve. Sipas të dhënave të grupit hetimor,

tvklan.al

mëson se Ergys Lohja në disa raste kishte negociuar në uljen e interesave të parave të dhëna me fajde. Burimet hetimore sqarojnë se ulja e interesave të fajdeve ishte kërkuar për llogari të dy vëllezërve Radovani, djemtë e ish-Prefektit të Shkodrës, Paulin Radovani. Ka qenë ky i fundit që denoncoi në Prokurori të gjithë skemën e fajdeve ku ishin të përfshirë 22 persona.

Dy djemtë e Paulin Radovanit kishin rënë pre e kësaj skeme. Ata kishin marrë para borxh dhe duhet t’i kthenin me interesa të larta, të cilat i caktonte ky grup, dhe që varionin nga 3% deri në 20%. Në rast se paratë e dhëna hua nuk ktheheshin brenda afatit, anëtarët e këtij grupi u merrnin qytetarëve pronat, shtëpitë dhe pasuri të tjera që ata posedonin.

Dy vëllezërit Radovani nuk kishin mundur të shlyenin në kohë borxhet që kishin marrë. Për këtë arsye, për llogari të tyre kishte negociuar polici Ergys Lohja për të ulur interesat e fajdeve. Aktualisht dy vëllezërit Radovani ndodhen jashtë shtetit. Ata u larguan nga Shqipëria rreth 2 muaj më parë përmes pikës kufitare të Muriqanit për shkak të frikës nga fajdexhinjtë për borxhet e pashlyera.

I ati i vëllezërve, ish-Prefekti i Shkodrës Paulin Radovani, pasi mësoi çfarë kishte ndodhur, vuri në dijeni autoritetet dhe bashkëpunoi me to, të cilat kryen hetime disa mujore, duke përfshirë përgjime ambientale dhe telefonike të personave pjesë e grupit kriminal.

Në pranga ranë 12 persona, 4 janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë pezulluar nga detyra me vendim gjykate. Mes të arrestuarve është ish-Kancelari i Gjykatës së Shkodrës Artan Dragani. Gjatë aksionit u sekuestruan 238 mijë Euro, 272 mijë Dollarë dhe 20 automjete.

/tvklan.al