Zbulohet servisi i grabitësve të Rinasit – TV KLAN

Zbulohet servisi i grabitësve të Rinasit

Furgoni i “Hetimit Tatimor” u modifikua në Elbasan

Pas 12 ditë hetimesh, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë zbuluar servisin ku është modifikuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, që u përdor nga Admir Murataj dhe bashkëpunëtoret e tij në grabitjen e 6.5 milionë eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se ky servis ndodhet në Elbasan dhe policia ka marrë në pyetje pronarin për të bërë të mundur identifikimi e atyre që e kanë porositur modifikimin. Hetuesit janë tepër të rezervuar në dhënien e informacionit, por zbulimi i servisit është bërë nga këqyrja e qindra orëve filmime të kamerave të sigurisë, nga ku ka kaluar ky mjet.

Nuk bëhen të ditura ato që ka deklaruar ky person, por dëshmia e tij është mjaft e vlefshme, pasi nga aty mund të shkohet tek autorët e tjerë. Ky furgon është një minierë për grupin hetimor, pasi autorët aty kanë lënë mjaft prova, nga gjurmë gishtat, deri të fije floku, që mund të shërbejnë për zbulimin e grabitësve.

Hetuesit kanë dyshime se pjesë e këtij grupi të ketë qenë edhe një femër, e cila ka kryer veprime aktive në grabitje. Policia gjatë këtyre ditëve ka mbledhur dëshmi dhe të dhëna në disa qytete të vendit, si Tiranë, Elbasan, Fushë-Krujë dhe janë bërë hapa konkretë që mund të çojnë në zbulimin e grabitësve të tjerë. Gjithashtu, edhe për personin i cili dogji një furgon në afërsi të Bathores, për të shpërqendruar policinë, janë gjetur të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tij.

Ndërsa oficerët e Prokurorisë për Krimet e Rënda kanë zbarkuar në zyrat e Aviacionit Civil. Pranë këtij institucioni ditët e fundit janë sekuestruar të gjitha kontratat që shtetit shqiptar ka me koncesionarin e aeroportit. Ky dokumentacion është duke u këqyrur dhe pas përfundimit të këtij veprimi hetimor, pritet marrja në pyetje e drejtuesve të Aviacionit Civil.

Tv Klan

Kategori
KronikeLajmet KryesoreTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*