Policia e Tiranës ka zbuluar në fshatin Laknas një banesë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me llampa.

Për rritjen e tyre ishin instaluar pajisje ndriçimi dhe ventilimi, ndërsa energjia elektrike merrej në mënyrë të paligjshme.

Gjatë kontrollit të banesës policia sekuestroi 20 bimë kanabis sativa, rreth 60 cm të larta dhe një sasi lënde narkotike kanabis të përpunuar.

Në përfundim forcat e policisë vunë në pranga dy vëllezër 28 dhe 38 vjeç si autorë të kësaj veprimtarie dhe elektriçistin e zonës për favorizim të lidhjeve të paligjshme të energjisë.

Gjatë operacionit u procedua në gjendje të lirë edhe babai i dy vëllezërve, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.

Tv Klan