16 tetor 2026 – Një javë para se të sillte në jetë vajzën, Bora Çepeli zbuloi se në gjirin e saj kishte një masë të dyshimtë. Ajo që nisi si një vetëkontroll i zakonshëm, i nxitur nga një video në YouTube, u kthye në fillimin e një beteje të vështirë, mes lindjes, ekzaminimeve dhe trajtimeve mjekësore.

E ftuar në emisionin “Shije Shtëpie”, Tv Klan, sipërmarrësja rrëfeu momentet e vështira pas zbulimit të tumorit, sakrificat për të mos i shqetësuar fëmijët dhe rolin e pazëvendësueshëm të nënës së saj, e cila u kujdes për foshnjën ndërsa ajo udhëtonte drejt Italisë për trajtim.

Ajo tregoi se gjithçka nisi në mënyrë krejt të papritur, teksa ishte në muajin e tetë të shtatzënisë. Pasi pa një video në YouTube që trajtonte vetëkontrollin e gjirit, vendosi ta provonte edhe vetë dhe vuri re një kokërr të vogël. Fillimisht mendoi se mund të ishte një ndryshim i lidhur me përgatitjen e trupit për gjidhënie, ndaj nuk u shqetësua menjëherë.

Pas rreth tre javësh, bisedoi me të ëmën, e cila e nxiti të shkonte për vizitë mjekësore. Të nesërmen, ajo kreu një ekografi gjiri, me bindjen se nuk kishte asgjë serioze. Por rezultati e përballi me një realitet krejt tjetër: në ekzaminim u evidentua një masë e dyshimtë, e klasifikuar si BI-RADS 5.

Lindja ishte planifikuar për më 30 qershor, por mjekët vendosën ta përshpejtonin me tri ditë, në datën 27 qershor, për të vijuar më pas me biopsinë dhe ekzaminimet e nevojshme.

“Ishte një kontroll komplet i rastësishëm. Unë isha në muajin e tetë të shtatzënisë dhe, duke parë rastësisht një video në YouTube, se trajtohej kjo temë, mendoj të bëj një vetëkontroll të gjirit dhe vë re një top të vogël në gji. Gjëja e parë që mendova ishte se trupi po përgatitet për gjidhënie dhe mund të jetë efekt i përgatitjes për lindje dhe gjidhënie. Nuk u shqetësova shumë, të them të drejtën, vazhdova rutinën e përditshme. Pas tre javësh, ndodh që këtë bisedë e konsumoj me mamin tim dhe i them që kam vënë re që kam një top të vogël në gji. Bekuar qofshin nënat që më alarmoi që mund të jetë një infeksion dhe shiko që ndoshta nuk duhet t’i japësh gji vajzës, skenar që unë s’e kisha menduar kurrë. Më bëri mbarë që unë të shkoja (për vizitë) dhe ashtu bëra. Direkt të nesërmen shkova dhe bëra një eko gjiri. Shkova me bindjen e plotë se nuk kam asnjë gjë, me atë optimizmin që më karakterizon. Ndërkohë, isha thjesht një javë para lindjes. Aty, nëpërmjet ekos, u vu re shumë qartë dhe ajo që ishte e shkruar e zezë mbi të bardhë ishte BI-RADS 5, të cilin unë kurrë nuk e kisha dëgjuar më parë. Nga ajo, lindja ishte programuar më 30 qershor dhe ma kaluan tre ditë më parë, 27 qershor, pikërisht për të përshpejtuar procesin e lindjes dhe për të filluar më tej kalvarin e biopsisë e të gjithë kalvarin që më priste më tej”, tha ajo.

Pas lindjes, sipërmarrësja duhej të përballej me hapin tjetër, biopsinë, por në ato momente dëshironte të përjetonte gëzimin e ardhjes në jetë të vajzës së saj, pa e lidhur atë ditë me frikën për jetën dhe shëndetin e saj. Për këtë arsye, vendosi ta shtynte procedurën për disa ditë.

“Procedura e parë ishte pikërisht lindja. Ajo që pritej ishte që direkt pas lindjes të bëja direkt biopsinë, domethënë këtë më sugjeruan mjekët. Por unë, me thënë të drejtën, nuk pranova të bëja këtë, sepse doja të fokusohesha në gëzimin që kisha atë ditë dhe nuk doja që të përcillja vajzën nga salla e lindjes dhe të isha njëkohësisht në luftë me jetën time”, tha ajo.

Dhjetë ditë pas lindjes, Çepeli udhëtoi drejt Italisë për të kryer biopsinë dhe procedurat e mëtejshme. Në këtë periudhë, mbështetja e nënës së saj u bë vendimtare. Ajo i besoi të ëmës kujdesin për foshnjën, ndërsa vetë nisi të përballej me një rrugëtim të vështirë mjekësor.

“Vendosa që dhjetë ditë pasi linda, të merrja avionin për në Itali e të bëja biopsinë dhe gjithë procedurat e radhës. Bekuar qoftë prapë mamit. Mamit i dorëzova një foshnjë dhe i thashë: të lutem, kujdesu për beben time dhe mami një vit nuk doli nga shtëpia dhe u mor vetëm me vajzën time. Dhe heroina e vërtetë e gjithë historisë nuk jam unë në të vërtetë, por është mami, që sot ma ka dorëzuar vajzën dhe vajza është 1 vjeçe e tre muaj”, tha ajo.

Përveç përballjes me sëmundjen, një nga sfidat më të mëdha për të renë ishte të mos lejonte që fëmijët e saj të përjetonin frikën dhe ankthin që po kalonte. Djali ishte vetëm 3 vjeç dhe ajo përpiqej ta ruante nga sa më shumë detaje të asaj që po ndodhte. Udhëtimet drejt Italisë për kontrolle dhe trajtime i organizonte në mënyrë që të kthehej sa më shpejt pranë tij, edhe kur ndihej e rraskapitur.

Ajo rrëfeu se përpiqej t’ia paraqiste udhëtimet si punë të zakonshme, duke i thënë se do të shkonin te lodrat sapo të përfundonte. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të saj, djali e kishte ndier se diçka nuk shkonte. Edhe vajza reagonte në ditët kur ajo nuk ndihej mirë.

“Fëmijët e mi, unë në mënyrë të heshtur mundohesha t’i mbroja ata, sidomos djalin, sepse ishte 3 vjeç dhe nuk doja që të kuptonte. Unë mundohesha që ai të mos përjetonte asnjë nga ndjesitë. Unë ikja në Itali, mbaroja dhe po atë ditë kthehesha, qoftë edhe pa fuqi pas terapive që bëja, prapë kthehesha, vetëm që atij të mos i mungonte mami dhe atë ta çonte mami në kopsht në mëngjes. Disa ditë shkoja dhe rrija pak më shumë (në Itali), sepse duhej të bëja eko, kontrolle të tjera dhe e merrja më vete, sepse nuk mund të rrija pa të (pa djalin). Kur shkonim atje, i thoja që këto janë disa zyra që mami ka punë, sa të mbarojë mami, do shkojmë te lodrat. Ai nuk e ka besuar, është një fëmijë shumë i zgjuar dhe e ka ndjerë të gjithën këtë. Madje, dhe vajza mendoj se e ka ndjerë këtë, sepse në momente që unë nuk ndihesha mirë, vajza ishte e grindur, qante… Unë mundohesha të mbroja djalin, por ndërkohë edhe vajza e ndjente”, tha ajo.

/tvklan.al