Zbuloni tre vendet e veçanta që vizitoi Fevziu gjatë kësaj vere

Zbuloni tre vendet e veçanta që vizitoi Fevziu gjatë kësaj vere

19:22 09/09/2019

Ai është padyshim një nga emrat më të njohur në fushën e medias në Shqipëri. Kur bëhet fjalë për gazetari politike, ai është i pari që zhvillon temat dhe intervistat me personazhet më të rëndësishëm të kësaj fushe.

Por njëkohësisht, krahas pasionit për gazetarinë, ai ushqen edhe pasion për udhëtimet. Bëhet fjalë pikërisht për drejtuesin e programit “Opinion” në Tv Klan, Blendi Fevziu. Gjatë kësaj vere ai ka qenë në shumë udhëtime në vende të ndryshme të botës, por sot i ftuar në emisionin “Rudina” foli për tre në veçanti, për Ishujt Bahamas, Perunë dhe Kolumbinë.

“Vitin e kaluar doja të shkoja në Peru, por të merrje vizën peruane ishte ndërmarrje shumë e vështirë. Vitin e kaluar nuk udhëtova dot sepse më doli më vonë ç’e prisja. Edhe këtë vit në kushte të menjëhershme arrita të siguroja vizë nga ambasada e Perusë në Paris dhe e mora për vete, për vajzën dhe për fëmijët e disa miqve të mi. Peruja ishte një udhëtim që e kisha menduar prej vitesh, të cilin e kisha studiuar me detaje. Tre-katër vite më parë më lindi si ide dhe kisha studiuar të gjitha mundësitë për të arritur. Maçu Piçu është një nga vendet më të bukura të botës, është një vend kult më shumë, një qytet i vjetër inkas, i cili ishte zhdukur. Është në fillimet e një xhungle në një mal. Ka qenë i mbuluar krejtësisht nga xhungla, ka qenë i jetuar në shekullin XV-XVI dhe në vitin 1500 kur spanjollët erdhën, ky qytet ishte zhdukur dhe ishte mbuluar nga gjelbërimi.

Spanjollët e dinin që ekzistonte një qytet shumë i rëndësishëm sepse prerja e mureve të tij e dallon nga qytetet e tjera. Kishte një mit që ekzistonte, një qytet i tillë, por askush nuk e kishte parë. Një arkeolog amerikan shkoi në Peru i bindur që të dhënat do ta çonin tek qyteti, është një histori e ngjashme me atë të Butrintit. Ai e kërkoi për tre vjet rresht, por në një distancë të largët 150 kilometra. Në një moment ai shkon në Kusko, në një nga qytetet më të bukura në botë, pasuri e UNESCO-s. Aty i thonë që kishin dëgjuar për një vend ku kishte rrënoja të vjetra. Ai ngjitet në mes të xhunglës zbulon disa gurë, punon 5 vjet për ta hapur dhe arriti ta zbulojë të gjithin. Peruja është e ndarë në tre breza, ka Amazonën që është xhungla më e sofistikuar e botës, ka Alpet që janë gjithashtu ndër më të lartat e botës dhe zënë 1/3 e territorit, dhe shkretëtirën. Lima dhe Kajro janë dy kryeqytete në botë vendosur në shkretëtirë. Në Lima nuk bie kurrë shi. Kur mbërrin në Kusko duhet të nisesh 4 orë me një tren, më pas 30 minuta me makinë, 45 minuta me autobus që të arrish në Maçu Piçu. Ky qytet është ndërtuar në majë të malit në 2800 metra lartësi dhe disa prej gurëve që janë vendosur aty peshojnë 30-40 ton dhe akoma nuk ka një shpjegim si i kanë ngjitur deri aty. Ndërsa në Kusko është një gurë 108 ton dhe nuk dihet se si inkasit i kanë marrë dhe i kanë vendosur atje. Maçu Piçu hyn tek 7 monumentet më të rëndësishme që ka globi”, tha Fevziu.

“Në Kolumbi vizitova Bogotën. Kolumbia është shumë interesante, ka disa monumente dhe ndër më të rrallët është Liqeni i Eldorados. Ajo që të bën përshtypje aty është që fushat manjetike nuk lejojnë që të kesh valë. Është aq i thellë sa mendohet që askush nuk e ka parë fundin e tij as me pajisje. Është si një vrimë dhe mendohet që inkasit hidhnin aty pajisje ari për nder të perëndive të tyre. Kur spanjollët erdhën ajo e humbi pak nivelin e ujit dhe ari që ata kishin hedhur ngeli rreth e rrotull liqenit dhe për këtë arsye mori emrin legjenda e Eldorados. Mendohet që në thellësi ka pajisje të pafundme ari. Sot në Kolumbi ekziston një anije që mban një ngarkesat më të mëdha me ar që bota njeh, por është një sherr mes disa vendeve për ta nxjerrë. Ka një pjesë të qytetit të mbushur me piktura. Një pjesë tjetër e qytetit ka investime të pajustifikueshme që janë bërë falë lulëzimit të drogës. Ajo që të bën përshtypje është pjelloria në prodhimet bujqësore. Atje ka më shumë fruta se në çdo vend tjetër. Pallati Presidencial në Kolumbi është po ashtu shumë i famshëm. Është shumë interesant udhëtimi në Kolumbi, vetëm pak i rrezikshëm”, u shpreh gazetari.

“Bahamas ka qenë një nga destinacionet që kisha vendosur për shkak të pasionit që kam për zhytjen. Përpjekja për vizë është torturuese dhe atë vizë e mora në Londër. Është një vend ku shkohet kryesisht për pushime, nuk ka për të zbuluar shumë, ka rreth 400 mijë banorë dhe 7 milionë turistë ditorë dhe të përhershëm. Ka plazhet më të bukura të botës, njëri nga plazhet më të bukura është Gzuma. Bahamas ishte një parajsë turistike, është një destinacion i lirë në pjesën më të madhe të tij. Është 2 orë e gjysmë nga New York dhe ka avantazhin që kur në New York temperatura është -5, në Bahamas është 27-28. Bahamas është plazhi më i bukur që unë kam parë ndonjëherë”, rrëfeu Fevziu./tvklan.al  


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi