Një 33-vjeçar shqiptar, Fatush Lala, i cili prej 20 vitesh jeton në Angli, i është revokuar pasaporta angleze pa asnjë paralajmërim, duke mos e lejuar më të futet në këtë shtet.

Në një intervistë për britaniken “The Indipendent”, ai tregon se ndodhej me pushime disa ditë në Bullgari me bashkëshorten, por kur ka shkuar në aeroportin e Brukselit për të fluturuar drejt Anglisë, i është bërë me dije se pasaporta e tij është e pavlefshme dhe se i është revokuar nga Ministria e Brendshme.

Ai prej më shumë se tre javësh ka mbetur në Bruksel, pas pasaportë, duke mos pasur asnjë mundësi të kthehet në shtëpi, ndërsa bashkëshortja e tij është detyruar të kthehet pa të.

Prej moshës 14-vjeçare ai ka emigruar në Angli, ku më pas është shkolluar dhe ka ndërtuar jetën aty, por arsyeja që i kanë hequr nënshtetësinë britanike ka ardhur sepse Ministria e Brendshme ka zbuluar se ai nuk është nga vendi që pretendon, por nga Shqipëria.

Ai kishte deklaruar se ka lindur në Serbi, në vitin 1986, por ministria ka zbuluar se ka lindur në vitin 1985 në Shqipëri.

Lala i gjetur në këtë udhëkryq shprehet se ka mbetur i shokuar dhe nuk di se ku të shkojë.

 “Nuk mund ta besoj çfarë më ka ndodhur. Jam rrugëve dhe është shumë ftohtë. Jam përpjekur të gjej vende të ngrohta në stacionet e trenave dhe në kafenetë. Nuk di çfarë të bëj. Ndihem i pafuqishëm. Ku të shkoj?”

Ndërkohë në rrjetet sociale ka nisur një fushatë për mbledhje fondesh në ndihmë të tij. Sakaq, Lala i ka shkruar edhe një deputeti britanik, David Lammy, i cili ka reaguar përmes një postimi në Facebook.

Lammy shprehet se mënyra sesi i është hequr nënshtetësia, është tmerrësisht çnjerëzore, për një person që për 20 vite ka quajtur atdheun e tij Britaninë.

Lala në Londër ka gjithçka, familje, të afërmit, shtëpinë, punën. /tvklan.al