51 milionë Eurot që NATO parashikon të investojë në aeroportin e Kuçovës do të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës në këtë bazë ajrore si dhe ndërtimin e depozitave të karburantit.

Zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare zbulon se financimi në këtë aeroport i cili do të shndërrohet në të parën bazë ajrore të Aleancës në Ballkanin Perëndimor është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate. Programi, sqaron Cazalet, është pjesë e financimit të përbashkët të NATO-s në të cilin kontribuojnë të 29 vendet anëtare.

“Shqipëria na ndihmon të rrisim sigurinë duke promovuar bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Vendi juaj është një avokat i fortë i politikës së dyerve te hapura të NATO-s dhe i integrimit të fqinjëve tuaj në familjen Euro-Atlantike”.

Kur lajmëroi të shtunën nisjen e këtij projekti, Kryeministri zbuloi se ky aeroport  do të shërbejë edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare. Po ashtu, kreu i qeverisë tha se po zhvillohen diskutime me SHBA për modernizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ajrore. Diskutime që siç Tv Klan mësoi, kanë të bëjnë me blerjen e dy helikopterëve ushtarakë ‘Black Haek’.

Tv Klan