Vetëm dy ditë na ndajnë nga ndeshja Shqipëri-Angli, e cila është e para e kualifikueseve për Botërorin 2026. Lojtarët e Kombëtares do të luajnë në “fushën e blertë të stadiumit Wembley” në Angli me fanellat e reja që prezantoi FSHF-ja.
Fanellat e reja përbëhen nga një grafikë e veçantë e stampuar, e cila, duke nisur nga simboli i shqiponjës dykrenore, përfshin një seri të pasur referencash të elementëve natyrorë dhe kulturorë karakteristikë të Shqipërisë.
E ftuar pasditen e kësaj të mërkure në studion e “Rudina” në Tv Klan ishte e ftuar zëdhënësja e Federatës. Lenida Halili përveç se tregoi me imtësi detajet e fanellës së Kombëtares, i dha përgjigje edhe një pyetje që ndoshta të gjithë jemi kureshtarë. Përse FSHF prezanton fanella të reja për Kombëtaren për çdo kompeticion apo kualifikuese?
Rudina Magjistari: Kurioziteti im, por dhe i shumë të tjerëve është pse bëhen gjithmonë bluza te reja për momente të ndryshme sportive? Është një ritual shumë i veçantë që tani duket sikur është bërë pjesë e pritshmërisë së madhe kur bëhet fjalë për një ndeshje të madhe sportive.
Lenida Halili: Sepse një fanellë asociohet me emocionet që të jep një kompeticion i caktuar. Janë kompeticione të ndryshme. Kur kemi mbyllur “Nations League” i cili është një mini kompeticion i vogël i UEFA-s i cili bën disa ndeshje për të shmangur po të themi ato ndeshjet e mëdha miqësore që kanë qenë dikur, që ndoshta edhe ekipet nuk motivoheshin aq shumë. Ndërkohë që “Nations League” të jepte një lloj mundësie për të luajtur në “Play Off”, ishin disa procedura të tjera që mund të fitoje një biletë për në Europian. Në këtë rast ne promovuam një fanellë të re dhe për “Nations League” e cila ishte sezonale 3 mujore. Por, në fillim të çdo kompeticioni të madh siç janë kualifikueset për Europian ose për Botëror ne gjithmonë prezantojmë një fanellë të re, që edhe tifozët që të asociojnë me emocionet që të ka sjellë ai kompeticion. Besoj që çdo tifoz e mban mend fanellën e vitit 2016 me të cilën ne u kualifikuam apo dhe fanellën e vitit 2024 që po ashtu shkuam në Gjermani. Është dhe një formë për të krijuar një koleksion të mirë pse jo dhe për të ruajtur fanellat me numrat ose emrat e lojtarëve që në atë kohë kanë bërë një lloj historie./tvklan.al