Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern ka njoftuar se do të ndërmerren reforma të rëndësishme në ligjin e armëve, pas sulmeve në dy xhami më 15 Mars, ku mbetën të vrarë 50 besimtarë myslimanë.

Në konferencën e saj për shtyp, Kryeministrja nuk dha detaje të hollësishme, por sqaroi se ndryshimet ligjore do të bëhen brenda pak ditësh.

“Brenda 10 ditëve pas këtij akti terrorist, ne do të njoftojmë reformat që besoj se do ta bëjnë komunitetin më të sigurt

“, u shpreh Jacinda Ardern.

Kryeministrja e Zelandës së Re gjatë konferencës për shtyp ishte së bashku me partnerin e saj të koalicionit, njëkohësisht zv/Kryeministër, i cili më herët kishte kundërshtuar këto ndryshime në ligj. Por pas sulmit terrorist, ai mbështeti nismën e Kryeministres.

“Të premten bota jonë ndryshoi tërësisht, po ashtu edhe ligjet tona”,

tha ai.

Ndërsa Kryeministrja shtoi se koalicioni është i vendosur për ndryshimin e ligjit të armëve. “

Kemi marrë një vendim si kabinet, jemi të unifikuar”.

Ajo tha po ashtu se hetimet për ngjarjen e rëndë do të tregojnë nëse ky akt mund të ishte shmangur. Autori i sulmit, 28-vjeçari australian Brenton Tarrant, posedonte leje për armët me të cilat kreu masakrën. Policia tha se ai kishte përdorur armë të modifikuara për sulme ushtarake, për ta bërë më vdekjeprurëse. E megjithatë, të gjitha modifikimet që u kishte bërë armëve, janë ligjore pasi mbështeten nga ligji për armëmbajtjen në Zelandë të Re.

/tvklan.al