Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski deklaroi në Asamblenë e OKB-së se Rusia po planifikon të kryejë sulme në termocentralet bërthamore të Ukrainës, duke paralajmëruar për një katastrofë të mundshme bërthamore.

Zelenski tha se ka marrë informacione që Rusia po përdor satelitë të ofruar nga shtete të tjera për të vëzhguar infrastrukturën bërthamore të Ukrainës.

“Rrezatimi nuk i respekton kufijtë shtetërorë dhe shumë shtete mund të përballen me efekt shkatërrues. Çdo incident kritik në sistemin energjetik mund të çojë në një katastrofë bërthamore. Një ditë e tillë nuk duhet të vijë kurrë. Moska duhet ta kuptojë këtë. Kjo varet pjesërisht edhe nga vendosmëria juaj për të bërë presion mbi agresorin. Këto janë termacentrale bërthamore dhe duhet të jenë të sigurta”, tha Presidenti ukrainas duke ju drejtuar krerëve të shteteve në Kombet e Bashkuara.

Zelenski theksoi se Rusia ka shkatërruar pothuajse të gjitha termocentralet e Ukrainës në mënyrë që të fusë në kolaps sistemin energjetik dhe atë të ngrohjes për Dimrin. /tvklan.al