Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje NATO-s që të ofrojë mbrojtje për zonat e Ukrainës që nuk janë të pushtuara nga Rusia, në mënyrë që të ketë mundësi të negociojë më vonë.

“Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të fusim sa shpejt nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë së pari, dhe më pas Ukraina mund të rimarrë pjesët e tjera të territorit të saj në një mënyrë diplomatike”.

Në një intervistë për Sky News Zelenskiy theksoi se anëtarësimi në NATO duhet t’i ofrohet të gjithë Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

“Nuk mund t’i bësh një ftesë vetëm një pjese të një vendi. Pse? Sepse nëse do ta bënit këtë do të pranonit se Ukraina është vetëm ai territor i Ukrainës dhe tjetri është i Rusisë”.

Sipas presidentit ukrainas ka patur shumë propozime për ndalimin e luftimeve në Ukrainë, por pa një mekanizëm për të parandaluar Rusinë të sulmonte përsëri, armëpushimet janë thjesht shumë të rrezikshme. Vetëm anëtarësimi në NATO, tha ai, mund të ofrojë këtë lloj garancie.

Kjo është hera e parë që Zelenskiy pranon të negociojë ndaljen e luftës duke vënë në tavolinë çështjen e territoreve të pushtuara gjë që në të kaluarën ishte një vijë e kuqe që ia ndalonte kushtetuta e vendit. Presidenti ukrainas u shpreh i gatshëm të punonte me Trump për arritjen e paqes.

Klan News