Vendet europiane refuzojnë të shfuqizojnë sanksionet ndaj Rusisë, si kusht i Moskës për vënien në zbatim të armëpushimit në Detin e Zi, për të cilin u ra dakord këtë javë me Kievin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Uashingtoni në Riad.
Këtë e bënë të qartë liderët e rreth 30 vendeve të kontinentit që morën pjesë në samitin e tretë të koalicionit vendeve të gatshme për të ndihmuar Ukrainën, të ftuar në Paris nga presidenti Emanhel Macron.
“Vendosëm unanimisht të mos heqim asnjë sanksion para se të vendoset qartësisht paqja”, tha Emmanuel Marcron, Presidenti i Francës.
“Të heqësh sanksionet në këtë moment do të ishte e rrezikshme”, tha Olaf Scholz, Kancelari i Gjermanisë.
“Do të punojmë së bashku për të garantuar sigurinë e Ukrainës që ajo të mbrohet dhe të ndalohen sulmet e ardhshme”, tha Keir Starmer, Kryeministrisë i Britanisë së Madhe.
Liderët ishin po ashtu në një mendje që të ndihmojnë në forcimin e pozitave të Ukrainës, në bisedimet e paqes me Rusinë, tani që Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar qëndrimin ndaj Ukrainës nga një qasje mbështetëse drejt një qëndrimi neutral.
Në samitin ku i pranishëm ishte edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, liderët nuk ranë dakord për planin e franko-britanik për dërgimin e ushtarëve perëndimorë për të garantuar paqen në Ukrainë pas arritjes së armëpushimit të plotë. Plani nuk u mbështet nga vende si Italia, Greqia e Hungaria.
Tv Klan