Presidenti ukrainas bën bilancin e përballjes me rusët
Për herë të parë që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelensky, zbuloi numrin e ushtarëve të vrarë në luftë, ndërsa numri i të plagosurve mbetet sekret që të mos ndihmohet ushtria ruse me planifikimin e operacioneve.
“Deri tani në këtë luftë janë vrarë 31.000 pjesëtarë të ushtrisë. Jo 300.000, jo 150.000, e as sa [presidenti rus Vladimir Putin dhe rrethi i tij mashtrues kanë gënjyer. Por, sidoqoftë, secila prej këtyre humbjeve është flijim i madh për ne”, tha Zelensky.
Herën e fundit kur Kievi foli për numrin e humbjeve në betejë ishte në fund të vitit 2022, kur zyrtari presidencial Mykhailo Podolyak tha se janë vrarë 10.000 deri në 13.000 ushtarë ukrainas.
Zelensky pretendon se humbjet e Rusisë janë 180.000 ushtarë të vrarë dhe 500.000 të plagosur në këtë luftë, që është shifër shumë më e lartë se vlerësimet e deritanishme, por e pamundur për t’u konfirmuar. Rusia nuk i zbulon humbjet në luftë.
Duke folur në një konferencë për gazetarët në Kiev për shënimin e dyvjetorit të pushtimit nga Rusia, i cili nisi më 24 shkurt 2022, Zelensky shpreson për mbajtjen e një samiti udhëheqësish botërorë në Zvicër në muajt e ardhshëm për të diskutuar vizionin e tij për paqen.
“Shpresoj se samiti do të mbahet këtë pranverë. Ne nuk duhet ta humbim këtë nismë diplomatike”, tha Zelensky. Ai shtoi se pret që kjo nismë e paqes t’i prezantohet Moskës dhe ekziston mundësia që zyrtarët rusë të ftohen aty.
Ndërkohë, Zelensky gjithashtu tha se fitorja e Ukrainës në këtë luftë varet nga mbështetja e Perëndimit, ndihma kryesore po ndeshet me rezistencën e ligjvënësve të Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara.
Tv Klan